Blog Archive

VALA– 4.2 milionë sms për natën e Vitit të Ri

Post-Teleekomi i Kosovës (PTK) njofton se mbi 4.2 milionë mesazhe (SMS) janë dërguar me sukses të plotë gjatë natës festive të Vitit të Ri, përkatësisht gjatë kohës së mbingarkesës në rrjet në mes të datës 31/12/2012 dhe 01/01/ 2013 kur është evidentuar ky numër rekord i dërgimit të sms-ve. Në krahasim me vitin e kaluar në të njëjtën periudhë gjatë ndërrimit të moteve, trafiku i përgjithshëm i sms-ve është shtuar për 800 mijë sms, ndërkohë që edhe impakti financiar ka qenë tejet pozitiv. “Gjithashtu vlen të theksohet se këtë vit, operatori Vala ka qenë 100 përqind i suksesshëm, përkundër ngarkesës tejet të madhe dhe ka thyer të gjitha rekordet duke ngritur dukshëm grafikonin e dërgimit të SMS-ve, në një anë, por edhe rritjen e të hyrave financiare, nga ana tjetër. Gjatë kohës me ngarkesën më të madhe, në mes të 31 dhjetorit dhe 1 janarit janë dërguar saktësisht 4,200,294 sms, që është për 19 për qind sms më shumë krahasuar me të njëjtën natë festive të vitit të kaluar. Sa për ilustrim, numri i përgjithshëm i sms-ve të dërguar suksesshëm në vitin 2010 ishte 3.1 milionë, në vitin 2011 ishte 3.4 milionë, ndërsa këtë vit bëhet fjalë për një sukses të madh të VALA-s dhe kur këtij suksesi i shtohet edhe ngarkesa e madhe në rrjetin operativ, atëherë ky sukses është shumëdimensional”, njofton PTK. Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, Ejup Qerimi ka thënë se këtë herë është vërejtur një punë jashtëzakonisht efektive e ekipeve teknike në rrjetin e VALA-s, të cilat kanë mundësuar dërgimin pa pengesa të këtij numri rekord të sms-ve, përkundër ngarkesës enorme, prandaj operimi i suksesshëm në kushtet e stërngarkesës ka qenë befasia dhe dhurata më e mirë për të gjithë konsumatorët tanë. Sipas tij, kjo është një tjetër dëshmi e përkushtimit maksimal dhe masave të ndërmarra të menaxhmentit të PTK-së për t’u bërë të mundur, pa kurrfarë pengese, konsumatorëve tanë dërgimin e miliona SMS-ve dhe realizimin e thirrjeve, përmes të cilave u kanë përcjellë urimet e tyre familjarëve dhe miqve anë e mbanë Kosovës dhe jashtë saj.