Blog Archive

PREJARDHJA E VITIT TË RI

Prejardhja e Vitit të Ri në Evropë Viti i Ri në Evropë, në gjithë hemisferën perëndimore edhe përtej Atlantikut, e ka prejardhjen nga Roma antike pagane, para 2000 vjetëve. Në vitin 274, Perandori romak pagan, Aurelian, e shpalli ditën e 25 dhjetorit: Natalis Solis Invicti (Festa e Diellit të Pamposhtur). Kjo festë kremtohej në gjithë Perandorinë Romake pagane, e cila e ka prejardhjen nga hyu pagan i iranianëve të lashtë, i cili quhej Mithra. Mithra, prej të cilit lindi religjioni Mithraizmi, që ishte hyu pagan iranian i dritës, që besohej se kishte lindur me 25 dhjetor! Kjo festë pagane kremtohej një javë, prej 25 dhjetorit deri me 1 janar. Kurse 1 Janari kremtohej për nder të hyjnisë Janus, hyu i dyerve dhe hyrjeve, prej të cilit ka prejardhjen emri i muajit të parë të vitit-Janari, që është dera, hyrja në Vitin e Ri! Pra, kjo festë e lashtë pagane, në Perandorinë Romake, zgjaste një javë. Një historian perëndimor, J.M. Wheeler, në librin e tij: "Paganism in the Christian Festivals", (Paganizmi në Festat Kristiane) ndër të tjera, shkruan: "Të gjithë festonin dhe gëzonin, puna dhe tregtia ishin pezulluar tërësisht. Shtëpitë ishin zbukuruar me bredha, pisha, me dafina dhe me bimë e pemë me blerim të përhershëm; midis miqve shkëmbeheshin dhurata e vizita. Ishte një periudhë gëzimi dhe dashamirësie dhe populli jepej pas çdo lloj argëtimi…" Përse gëzimi dhe argëtimi? Pse ndodhnin këto? Pse gëzoheshin, argëtoheshin…? Sepse popujt paganë evropianë besonin se kur ditët shkurtoheshin, e dita më e shkurtër bie me 21 ose me 22 dhjetor, ata besonin se Dielli-zoti i dritës ishte sëmurë dhe porsa dita fillon të zgjatej ata gëzoheshin dhe festonin, duke besuar se Dielli-zoti i tyre po shërohet, po forcohet dhe se pranvera, vera, po afrohet! Ky besim i verbër pagan ishte i përhapur ndër popujt evropianë, por që ka prejardhje nga egjyptasit e lashtë paganë, të cilët e adhuronin hyun pagan Ra, hyu i agrikulturës, por që vjen nga besimi pagan iranian i Mithras, hyu pagan kushtuar Diellit të pamposhtur…! Kjo është arsyeja e paarsyeshme e pavetëdijshme, pse edhe sot e kësaj dite, në mijëvjeçarin e tretë, në shumë vende të botës, kjo festë kremtohet me madhështi, njerëzit argëtohen, gëzohen, tranohen…! Përse zbukurimi, dekorimi? Për nder të kësaj feste pagane zbukurohen, dekorohen, shtëpitë, fshatrat, qytetet me bredha, pisha, me blerim të përhershëm, nga njerëzit e përkohshëm dhe populli, siç dihet, siç shihet, jepet pas çdo lloj argëtimi-deri te shfrenimi…! Përse zbukurohen, dekorohen shtëpitë, fshatrat, qytetet, me bredha, pisha? Sepse popujt paganë të Evropës, para krishterimit, besonin se pemët e gjelbra, siç janë bredhi, pisha, të cilat tërë vitin e ruajnë blerimin e tyre, ngjyrën e tyre, edhe në dimër, kanë diçka hyjnore. Popujt paganë evropianë besonin në qëndresën e tyre, i adhuronin ato si krijesa hyjnore, që nuk do t'i lënë pasdore..! Prandaj, porsa fillonte dimri i dekoronin, i zbukuronin, duke menduar, duke besuar se, meqë ato i qëndrojnë dimrit të ftohtë e të gjatë, do t'i ndihmojnë edhe atyre të mjerëve të qëndrojnë…! A ka kuptim që popujt me besim monoteist, siç jemi edhe ne, shqiptarët, qofshin të krishterë apo muslimanë, të presim, të kremtojmë, të gëzohemi, të tranohemi për një festë pagane, siç është Viti i Ri? Këtë e gjykon Bibla, e gjykon Kur'ani, dy Librat Hyjnorë, më të lexuara, më të përhapura, më të nderuara, në rruzullin tokësor. Shën Pali, në letrën dërguar Efesianëve, ndër të tjera, shkruan: "…Përbehem në Zotin: mos jetoni sikurse jetojnë paganët me mendje të errësuar, larg nga jeta e Hyut, për shkak të paditurisë që është ndër ta për arsye të trashamanisë së zemrës së tyre. Vetveten e kanë bërë të pandjeshëm, u dhanë mbas shfrenisë, në mënyrë, të shtyrë prej lakmisë, të bëjnë çdo poshtërsi." (Bibla, Efesianëve, 4:17-20) A keni menduar, si besimtarë, ndonjëherë rreth kësaj çështje? Nëse nuk keni menduar, atëherë shtrohet pyetja: Deri kur të pranojmë, pa menduar, çdo festë që të tjerët na kanë servuar - si një sofër e shtruar?! Sidoqoftë, para nesh është Viti i Ri, por jo për ta pritur, se ai vjen vet, jo për ta kremtuar, jo për ta uruar, jo për t'u gëzuar, jo për t'u shfrenuar, por për të medituar! Meditimi rreth Vitit të Ri do të na çon kah një kuptim më i thellë i jetës, i kohës. Koha, për të cilën betohet Krijuesi i Madhnueshëm në Kur'an, është gjëja më e çmueshme për krijesën-njeriun. Njeriu i sotëm, modern, bashkëkohor, perëndimor, materialist, është i aftë për të drejtuar, për të kontrolluar fuqitë e ndryshme natyrore, por qe de, është i pa aftë për të frenuar epshet e veta shtazore…! Nga mos frenimi i epsheve shtazore, duke qenë larg Zotit, duke mos përfillur udhëzimet e Tij, shumicën e njerëzve i ka tërhequr kotësia, marrëzia, shfrenia të shtyrë nga lakmia… Në etapa të ndryshme kohore, miliona njerëz për shkak të mosdijes, lakmisë, grykësisë, padrejtësisë janë shkatërruar, janë asgjësuar. Po të kthehemi në histori, do të pyesim me habi: Ku janë gjithë ato perandori?! Perandori shekullore, të fuqishme, që dukeshin aq madhështore, por u shkrinë si me qenë fluska bore! Sot, sikurse dje, njerëzit që nuk kanë besim në t'Madhin Zot-jetojnë kot! Ata e presin me pa durim Vitin e Ri, duke shpresuar, duke besuar se Viti i Ri ju sjellë begati! Me kohë, bota e kapitalit, e tregtisë, e biznisit, me reklama, me dredhi, joshje e mashtrime prej çdo lloj pisit, këtë e kanë kuptuar dhe përgatitjet për Vitin e Ri, që moti, ata i kanë filluar. I kanë filluar dhe do t'i përfundojnë përgatitjet të organizuara më bukur se çdo herë, sepse me fitime të mëdha, si asnjëherë, e shpërblejnë vetveten menjëherë…!