Blog Archive

Cila eshte Mrekullia qe e shpëtoi njëvjeçarin

Në librin e shenjtë të myslimanëve, në Kuran, shkruhet se Zoti do t’i dalë përkrah dhe do të ndihmojë këdo që është nisur për të realizuar pelegrinazhin në Mekë, një prej pesë detyrimeve që Kurani vendos për besimtarët. Është pikërisht ky pasazh i Kuranit, ai që i bën besimtarët të konsiderojnë njëvjeçarin Mohammed Eisa Daniel si të prekur nga një mrekulli hyjnore, kur e gjithë familja e tij u shua në një aksident rrugor, ndërsa udhëtonte në një taksi në datën 8 shkurt në Mekë, Arabi Saudite. Njëvjeçari humbi dy prindërit, gjyshërit dhe një xhaxha, kur makina me të cilën udhëtonin goditi me shpejtësi të lartë një shtyllë betoni, u rrotullua disa herë rreth vetes dhe përfundoi në një hendek tërësisht e shformuar. Ndërsa të gjithë udhëtarët e tjerë të makinës, përfshirë shoferi i taksisë mbetën të vrarë në vend dhe u shpërfytyruan përtej njohjes, djaloshi mbeti pothuajse i paprekur nga një aksident që ekspertët e konsideruan si të pambijetueshëm. Mohamedi u gjet brenda karkasës së automjetit, në duart e gjyshit të tij, që u përpoq të mbronte të miturin në sekondat e fundit të jetës së tij. Megjithatë, në mënyrë të mrekullueshme, fëmija kishte pësuar vetëm një frakturë në dorë, për të cilën pritet të rikuperohet shpejt dhe plotësisht. Djaloshi i shpëtuar nga kjo mrekulli, do të rritet nga vëllai i babait të tij (xhaxhai i madh), Shazda Hayat, i cili tha se birësimi i Mohamedit i jep shumë forcë për të përballuar dhembjen e humbjes së prindërve, vëllait të vogël, gruas së tij dhe xhaxhait. /Top-Channel/