Blog Archive

Refugjati nga Kosova, me fytyrë fëmije, bos i drogës në Skoci

Policia skoceze asgjëson një nga grupet më të mëdha të drogës në vend, të drejtuar nga shqiptarët, e që qarkullonte drogë në shumën e 1.2 milionë sterlinave. Një ish-fëmijë refugjati, i ardhur nga Kosova në 1999, Arben Dumani, u shndërrua në kreun e nëntokës skoceze të drogës, duke furnizuar qytetet skoceze me kokainë. Agjencia skoceze e luftës kundër drogës, e monitoronte që prej një muaji çdo lëvizje të bandës shqiptare të kokainës, duke filmuar gjithçka, E drejtuar nga “Mr. Big” me fytyrë fëmije, Arben Dumani 23 vjeç, kjo bandë qarkullonte kokainë në vlerën e 1.2 milionë sterlinave, njofton “Sunday Mail” e së dielës, transmeton Top Channel. Bosi i saj kishte ardhur si dhjetë vjeç në Skoci, nga Mitrovica, bashkë me të motrën. Në kuadër të operacionit policor “Eclipse”, pjesëtarët e tij kanë dalë përpara Gjykatës së Lartë në Glasgou dhe janë shpallur fajtorë. 23-vjeçari Dumani, që lëvizte me një makinë Mercedes, bashkë me pjesëtarët e bandës, presonin drogën për ta shitur atë më pas si të një cilësie dhe përqindjeje më të lartë, ndërkohë që në telefonin e tij “Blackberry” detektivët që kanë monitoruar çdo lëvizje të tyre, kanë gjetur foto të tij dhe bashkëpunëtorëve të tij duke marrë kokainë dhe tundur kartëmonedha. Ata janë arrestuar në momentin kur po behej transportimi i një sasie kokaine në vlerën e afro çerek milionë sterlinash në qytetin e Gllasgout. Prokurori i çështjes, Andrju Miller, tha në procesin gjyqësor se “Dumani dhe bashkëpunëtoret e tij ishin në dijeni të operacionit policor, por përdornin dorashka plastike për të mos lënë shenjat e gishtërinjve dhe të ADN-së”. Kryedetektivi i agjencisë skoceze të luftës kundër drogës, Athol Aitken, thotë se kishim të bënim me një sasi të madhe droge që do të dëmtonte tej mase komunitetet në Skoci nga përdorimi i saj dhe se e mirëpret vendimin e gjykatës e cila do mundësojë që personat e përfshirë të dënohen për krimet e tyre. Arben Dumani dhe një bashkëpunëtor i bandës u shpallën fajtorë, ndërsa dy bashkëpunëtorë të tjerë, të gjithë shqiptarë, e pranuan akuzën gjatë procesit gjyqësor. Ndërkohë, Dumani gjatë tërë kohës tha se ishte i pafajshëm dhe viktimë e Prokurorisë. Edhe motra e Dumanit, Aida 25 vjeçe, thotë se vëllai i saj ishte viktimë e sajesave nga Prokuroria dhe se ai nuk kishte bërë asnjë shkelje dhe se nuk do ta lënë me kaq ketë çështje”. /Telegrafi/