Blog Archive

Një vampir i vërtetë jeton në Turqi

Duket si një skenar filmash horor – por mjekët në Turqi janë duke u përpjekur që të shërojnë një djalosh, i cili pohon se është i varur nga gjaku i njeriut dhe se vuan nga sëmundja e vampirizmit. Ky djalosh thuhet se është sëmurë nga vampirizmi për shkak të traumave që i kishte përjetuar gjatë jetës. Djaloshi 23-vjeçar, i martuar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, disa herë është arrestuar për shkak se i kishte sulmuar me thikë si dhe i kishte kafshuar disa persona, vetëm e vetëm për të arritur deri të gjaku i tyre. Për të konsumuar gjak, në fillim ai i kishte prerë duart e tij me zhiletë, madje edhe gjoksin dhe stomakun. Më vonë ishte bërë i varur nga pirja e gjakut, madje i kishte kërkuar babait të tij që të shkonte në spital dhe t’i siguronte dozat e gjakut – të cilat spitali i siguronte për operacione. Ky rrëfim tmerrues është botuar në revistën shkencore, “Journal of Psychotherapy and Psychosomatics”. Ndërkaq, në raport thuhet se vampiri i vërtetë është i sëmurë nga çrregullimi i personalitetit dhe lëngon nga amnezia. “Pas sulmeve të tij gjakatare, ai e ka humbur ndjenjën për realitetin dhe është bërë një person tjetër. Madje, në përzgjedhjen e viktimave, nuk ka pasur kujdes fare”, thuhet në raport. Ekspertët e mjekësisë besojnë se ai është sëmurë nga vampirizmi për shkak të traumave që i kishte përjetuar. Ai ka qenë dëshmitar kur një mik i tij ia kishte hequr kokën dhe organet gjenitale një personi, pastaj, ka qenë dëshmitar i vdekjes së vajzës së tij 4-vjeçare, si dhe dëshmitar i vrasjes të dajës së tij. “Ky është pacienti ynë i parë që është sëmurë nga vampirizmi. Ai madje nuk e kujton fare fëmijërinë e tij të para 11 vjetësh”, ka thënë Direnc Sakarya, doktor në spitalin ushtarak Denizli në jug-lindje të Turqisë. Pos çrregullimit të personalitetit, ai është diagnostifikuar edhe me stres post-traumatik, depresion kronik dhe alkoolizëm. Ekspertët pohojnë se konsumimi i gjakut të njeriut - nga personat që janë “donatorë” të gjakut – mund të shkaktojë mbidozën e hekurit në trup, ose edhe sëmundjet e ndryshme, siç janë SIDA etj. /Dukagjini.com